Të gjitha këshillat si të pini më shumë ujë



Zbatoni dhe ndiqni këto zakone
Zgjohuni në orën 7, bëni dush, hani mëngjes: ndiqni çdo ditë të njëjtin rend derisa t’ju kthehet në zakon. Përpara se të dilni nga shtëpia, pini një gotë ujë, ndoshta me pak limon dhe xhinxher i cili do t’ju ndihmojë ta nisni ditën me këmbën e duhur.
Të njëjtën gjë bëni edhe në mbrëmje. Kur shkoni të shtriheni, merrni me vete një gotë ujë për ta mbajtur mbi komodinë dhe konsumojeni atë para se të flini gjumë.
Po gjatë ditës? Mbani gjithmonë me vete një shishe ujë dhe herë pas herë ktheni nga një gllënkë. Nuk është modë, por thjesht një zakon i shëndetshëm. Pas një ose dy javësh, këto veprime do t’ju vijnë natyrshëm dhe do të bëhen pjesë e rutinës tuaj të përditshme.
Gjeni ujin tuaj të preferuar
Mendoni se uji nuk ka asnjë shije? Gaboheni. “Mineralet e ndryshme që gjenden tek uji dhe koncentrimi i ndryshëm i tyre i jep ujit një shije specifike për secilin prej tyre që me pak stërvitje mund të mësojmë ta perceptojmë” shpjegojnë dietologët.
- Shija e ëmbël vjen kryesisht nga kalciumi
- Shija e kripur nga bikarbonatët, klorurët, sulfatët.
- Shija e hidhur nga magnezi, mangani, klorurët, bikarbonatët, sulfatët.
- Shija acide nga anhidridi karbonik.
Në këtë mënyrë, sugjerimi i dietologëve është që të provohen ujëra të ndryshëm, siç bëjnë somelierët me verën, deri sa të gjendet uji i preferuar.
Konsumoni çajra të ndryshëm
Nëse e keni të vështirë ta pini ujin pasi nuk ju shijon, përgatisni një ose dy litra të çajit tuaj të preferuar por pa sheqer. Nëse jeni në shtëpi apo në zyrë, mbani gjithmonë një filxhan mbi tavolinë për ta mbushur disa herë gjatë ditës.
Një alternativë tjetër për ta bërë ujin më të shijshëm është duke i shtuar disa pika esencash natyrale si për shembull mente, limon, vanilje.
“Krijoni” stimulin e etjes
Një herë në ditë konsumoni një copë të vogël çokollatë fondente (me të paktën 70% kakao) ose disa fruta të thata (jo më shumë se 30 gramë e përkthyer në 10 bajame ose 3 arra ose 15 stika). Ndonjëherë mund t’i shtoni vakteve tuaja pak erëza pikante si spec djegës ose spec të kuq.
Zgjidhini mirë ushqimet
“Rreth 20-30% e kërkesave tona hidrike, pra rreth 500-900 ml në ditë merren nëpërmjet ushqimit” shprehen dietologët. “Në fund të fundit të gjitha ushqimet përmbajnë ujë, pavarësisht se në sasi të ndryshme. Në krye të listës gjenden perimet me rreth 90-95% dhe frutat me 80-90%, të ndjekura nga qumështi (80-90%), peshku (50-85%), patatja (78%). Në vend të fundit është dhjami (1-5%) dhe sheqeri (0.5%)”.
Është e kuptueshme që hileja për të rritur hidratimin e trupit është konsumimi sa më i shpeshtë i ushqimeve në vendet e para të listës duke shmangur sa më shumë vendet e fundit. “Një këshillë tjetër”, shtojnë dietologët, “është që gjatë një javë të përfshini në vaktet tuaja të paktën 5 racione supash ose gjellërash të lëngshme.”
Përdorni aplikacionet e celularit
Ekzistojnë disa aplikacione që mund t’ju ndihmojnë të numëroni sasinë e ujit që konsumoni gjatë ditës. Disa shembuj? Water Drink Reminder, Hydro, Aqualert, Water Time, Acqua Clock. Janë aplikacione që mund t’i shkarkoni në telefonin apo tabletën tuaj të cilat në bazë të parametrave të përcaktuara si mosha, pesha, dhe aktiviteti fizik i kryer, llogarisin në mënyrë automatike cila është sasia e nevojshme e ujit që duhet të marrë organizmi juaj, duke ju kujtuar vazhdimisht me mesazhe gjatë ditës se duhet të pini ujë.

Post a Comment

0 Comments